Definicioni për batinitë
Fjala batini është marrë nga fjala batn, pra në kuptim të asaj që fshihet. Shumësi është beuatin. Batin është brendia e çdo sendi.[1]
Batinitë janë sekt të cilët përkatësohen në shiizëm, në dashuri të familjes së Pejgamberit, sal'Allahu alejhi ue selem. Këtë e përdorin si mbulesë për t’i mashtruar muslimanët, duke e fshehur kufrin e pastër tek ata. Batinije është term i përgjithshëm me të cilin emërtohen një grup prej grupeve të shiitëve.
Ata mes vete kanë të përbashkët besimin për të dukshmen dhe të brendshmen, e cila nuk duket. Ata shtrembërojnë dhe komentojnë si të duan tekstet e sheriatit, duke i sjellë këto komente si të përshtatshme për besimin e tyre. Me të cilat mendojnë se janë të veçuar për njohje pos njerëzve tjerë.
Prej kësaj kuptojmë se batinitë nuk janë një grup i vetëm, pra ata janë disa grupime.
Shkaku i emërtimit të këtillë:
Arsyeja për emërtimin me këtë emër është ajo se besojnë që Kur’ani ka komentimin e tij të jashtëm dhe atë të brendshëm të cilin komentim e njohin vetëm ata pos njerëzve të tjerë. Shehërstani duke shpjeguar për arsyen e emërtimit të këtillë, thotë: “Ata merituan patjetër këtë emërtim, ngase gjykonin për çdo gjë se e ka të jashtmen dhe të brendshmen të fshehtë prej kuptimit dhe se çdo ajet i shpallur ka koment të veçuar tek ata”.[2]
Fillimi i lëvizjes batinije
Dijetarët mendojnë se fillimi i lëvizjes batinije është në kohën e Me’munit, në krye me Hamdau b. Kur’mut dhe Abdullah b. Mejmun El-Kadalah. Kjo thirrje u përhap në kohën e Mu’tesim El-Abbasit. Ata u mblodhën në burgun e Mehdijut për t’i koordinuar punët mes vete. Ishin katër persona: Ahmed b. Husejn, Abdullah b. Mejmun, Zendanij, Hamdau b. Kur’mut.[3]
Bagdadij thotë: “Dijeni, Allahu u bëftë të lumtur, se dëmi i batinive ndaj muslimanëve është shumë më i madh se dëmi i jehudëve, krishterëve dhe mexhusëve, bile dëmi i tyre është edhe më i madh se dëmi i ateistëve”.[4]
Bagdadij thotë: “Ata të cilët formuan thirrjen batinije, janë një grup, prej tyre janë Mejmun b. Dajsan, i njohur si Kaddah, i cili ishte rob i Xhafer Sadikut, ai ishte në Ehuaz, njashtu Muhamed b. Husejn El-Bendau. Ata u tubuan me Mejmun b. Dajsanin në burgun e Irakut, ku formuan drejtimin e batinive...pastaj Mejmun b. Dejsani shkoi ka perëndimi i vendeve Islame. Atje u përkatësua në ate se e ka prejardhjen nga Ali Ibn Ebi Talib. Kur disa prej rafidive ekstrem dhe hululi hynë nën thirrjen e tij, ai pretendoi se është prej fëmijëve të Ismail b. Xhafer Sadik. Pastaj në thirrjen e tij batinije, u shfaq një njeri i cili quhej Hamdau b. Kurmud...tek i cili përkatësohen grupi i Keramitëve”.
Bagdadij thotë: “E vërteta për fenë e batinive është ajo se ata janë ateistë dhe zindikë të cilët e kanë mendimin se bota nuk ka fillim, ata mohojnë dërgesën e të dërguarve dhe të gjitha sheriatet”.[5]
Bagdadij përmend një pjesë nga besimi i tyre i kufrit, shkurtimisht:
1. Ata nuk besojnë në ringjallje dhe dënim. Sipas tyre, Xhenneti janë të mirat e kësaj bote, ndërsa dënimi është angazhimi i njerëzve të cilët i përmbahen sheriatit me namaz, agjërim, haxh dhe xhihad.
2. Ata pretenduan se Pejgamberët dëshiruan udhëheqjen, andaj i udhëhoqën njerëzit e thjeshtë me qëllim për të arritur në udhëheqësi.[6]
3. Mohimi i muxhizeve, zbritjes së melekëve me shpallje, urdhra dhe ndalesa.
4. Ata i interpretojnë ndryshe shtyllat e Islamit, në mënyrë të devijuar. Tek ata, namazi është dëgjimi i imamit të tij, haxhi është vizitimi i tij, shërbimi i tij dhe agjërimi tek ata është ruajtja e sekretit të imamit.
5. Mendimi për atë se bota është pa fillim dhe se para Ademit, alejhi selam, ka pasur njerëz tjerë.
6. Lejojnë martesën me gratë të cilat janë të ndaluara të martohen. Kajravani (një imam i tyre) në “Risale”, tha: “Sa e çuditshme është çështja e një njeriu i cili pretendon se ka mendje, pastaj e ka një motër apo vajzë të bukur, gruaja e tij nuk është e afërt me këto, pastaj ato ia ndalon vetes duke ia martuar me një të huaj. Ky injorant po të kishte menduar do të kuptonte se motra e tij më shumë i takon atij se një të huaji”.[7]
7. Mendimi i tyre se imamët e tyre janë Pejgamberë dhe se Pejgamberia nuk ka përfunduar.
Batinitë janë në shumë grupime, më të njohurat janë katër: ismailitë, nusajritë, druzët dhe keramitët.[8]
Vazhdon me pjesën e dytë...
Përktheu: Rexhep MEMISHI
Libri është i botuar në shqip me titullin: "Të nxituarit në tekfir".
FUSNOTA
[1]Kamusul Muhil – Fejruz Abadi 202/4, Usul Ismailije 221/1, Meusua 981/2
[2]Milel ve Nihal 292/1, Meusua 282/2
[3]Tebsir – të Isfarainit dhe Ferku Bejnel Firak f.28
[4]Ferku Bejnel Firak
[5]El-Ferku Bejnel Firak f.296
[6]El-Ferku Bejnel Firak f.281-302, Usul Ismailije
[7]El-Ferku Bejnel Firak f.296
[8]El-Ferku Bejnel Firak f.281-302



